Keni dëgjuar gliko nga më të ndryshme por kjo është një recetë e veçantë dhe shumë e shijshme.
Glikoja me domate nuk ka nevojë për shpenzime të tepërta ama shija që ka është shumë e mirë. Mund ta përdorni për qerasje me çajin tuaj të pasdites ose me bukë të sapopjekur.
Përbërësit:
2 kg domate të vogla2 kg sheqer
2 bustina vanilje
2 lugë me lëng limoni
4 filxhan caji me ujë
3 fara karafili
Bajame po aq sa numri i kokrrave të domateve
Ujë gëlqereje
Përgatitja:
Zgjedhim domatet të vogla ,të pjekura por të jenë të forta.Vendosim ujin të nxehet në një tenxhere dhe pastaj vendosim brenda domatet dhe i lemë vetëm 1 minutë. I nxjerrim me një lugë me vrima ,i vendosim në pjatë dhe u heqim lëkurën.
Marrim një thikë të hollë dhe të mprehtë ose një gozhdë të trashë dhe u hapim një vrimë nga poshtë por jo tejpërtej ,deri tek pjesa e bishtit.
I shtrydhim që të dalin farat , i vendosim në ujin e gëlqeres dhe i lemë për 3 orë.
I nxjerrim i shpëlajmë me ujë të bollshëm dhe i vendosim mbi një letër kuzhine të kullojnë mirë nga lëngjet që kanë.
Në çdo domate fusim në vendin e hapur nga një bajame të zbardhur.
Për të zbardhur bajamet i vendosim në ujë të valuar , i lemë pak të zbuten dhe i fërkojmë që t'iu iki lëkura.
Vendosim në një tenxhere ujin dhe sheqerin dhe i ziejmë për 10 minuta.
Marrim një nga një domatet dhe i vendosim në shërbet , i lemë të valojnë 5 minuta dhe ulim tenxheren nga zjarri.
I lemë të qëndrojnë 24 orë dhe shtojmë vaniljet ,karafilin, lëngun e limonit dhe i ziejmë deri sa të lidhet mirë sherbeti.I vendosim në vazo qelqi të pastra dhe të sterilizuara.
Shënim: Për të përgatitur lëngun e gëlqeres vendosim në një legen plastik dy lugë me gëlqere pluhur ose një copë guri gëlqere të pashuar dhe hedhim 3 litra ujë. Trazojmë mirë të valojë brenda gëlqerja dhe pastaj e kullojmë me garzë.
Uji që përfitojmë është i përshtatshëm për gliko.
Nga shije.al
Comments
Post a Comment